Home Opinion “Shqipëria po shkrumbohet si Amazona”

“Shqipëria po shkrumbohet si Amazona”

164
0
SHARE

Nuk kishe shumë që kishe nisur udhëtimin tënd,Indrit ! Kishe zgjedhur të ecje në rrugë të drejtë, në rrugën e ndershmërisë, në rrugën e punës dhe djersës. E nga ta dije që kjo rrugë do të rezultonte mizore dhe vrasëse. Nuk munde ta vazhdoje marshin tënd. Re dhe ti pré në dhëmbët e krijesës më të egër, NJERIUT .

Kjo qenie e poshtër të mori gjënë më të shtrenjtë, jetën. Të fshiu të shkuarën, të treti nga e tashmja dhe të mohoj të ardhmen. Ti ishe vlerë për shoqërinë. Janë pikërisht shembujt si ti, ata i duhen këtij vendi.

Por ty të morën Indrit, të morën nga gjiri i prindërve të tu, i cili tashmë është më i ftohtë se pllaka e mermerit sipër teje. Ike aq shpejt, saqë nuk munde tu thoje as lamtumirë. Ishte tepër herët për tu ndarë…Do munden vallë ata ndonjëherë ta përfundojnë bufen, për të cilën ti po punojë që ta bëje në shtator ?

Sa shumë gjëra kishe planifikuar për në shtator, xhan. Por, gushti i nxehtë i përvëloj të gjitha. Të përvëloj dashurinë, të cilën do e kurorëzoje muajin e ardhshëm. Kutitë e unazave u mbyllën përgjithnjë, pa u hapur kurrë. Sa shumë gjëra duhet të keni lënë pa i thënë. Shikoje të dashurën tënde nga aty lart, Indrit! Sepse të fortët, që drejtësia i kishte hedhur në rrugë ia brengosen zemrën. Do mundet vallë ajo të ndërtojë një jetë të re ?

Sikur mos të… Sikur!…Ah !…fjalë e mallkuar, mishërim i pengjeve të vërteta e i shpresave aq të rreme, saqë mrekullia më e madhe të çon jo më larg se në një frymëmarrje brenguese. Përse njerëzit e bëjnë jetën kaq kaotike sa zhgarravinat e një fëmije, që sapo ka nisur të shkruaj ?

A munde valle ndonjë ditë të ishe i lumtur ? Çfarë ëndërroje më së shumti në këtë jetë ?
A more mjaftueshëm dashuri në këto vite ?
Je ndjerë ndonjëherë i plotësuar vallë ?
Këto pikëpyetje do mbeten përherë të tilla.

Ike Indrit ! Nuk mund as të merrje paratë për të cilat u vrave. Shoqëria jonë të është borxhlie. Ne nuk dimë të rrisim lulet si ti. Dora jonë është mësuar vetëm të këpusi. Por, shkurret po e gjakosin këtë dorë. Po e gjakosin…

Plagët po hapen dita-ditës edhe më shumë. Po derdhim gjakun e njëri-tjetrit. Po luftojmë kundër njëri-tjetrit, në një luftë ku nuk ka fitimtarë, por vetëm humbës. Jemi mësuar me humbje. Por, kjo duket të jetë humbja më fatkeqe që kemi pësuar.

Dhe ti je ndër ata që e thellon këtë humbje. Tani ti po pushon, i dashur Indrit ! Ré për të mos u zgjuar më, në gjumin e përjetshëm.
Ndoshta atje lart po jeton një jetë tjetër. Një jetë, të cilën nuk munde ta vazhdoje këtu poshtë. Je larg të keqes, smirës e lakmisë. Aty nuk ka përbindësha.

Na fal, Indrit ! Ti, Ergysi, Orjani – dhe të gjithë të tjerët që u nisët në fluturim para kohe. Faleni këtë shoqëri, që merr jetë ta pafajshme çdo ditë ! Faleni këtë shoqëri që po shkrumon veten më shpejt se flakët e Amazonës…”
Nga Kristina Hasa

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here