Home Blog Page 548

Çështja e lobimeve dhe e takimeve ndërkombëtare të politikaneve tanë

0

U bene vite qe jetoj ne Europe dhe nisja ime ka qene per studime. Gjate kesaj periudhe per shkak te rrethanave dhe ecurise time mund te takohem me cdo lider te BE-se e mund te shkoje sa here te dua ne Bruksel.
Mandje, ne Bruksel mund te shkoje cdo shqiptare, edhe ai qe jeton ne Vermosh, apo ai qe jeton ne Konispol. Mjafton te kete 300 euro ne xhep dhe mund te shkoje ne Bruksel.
Pse e them kete hyrje? Politikanet shqiptare vazhdojne t’i marrin qytetaret per naive dhe tu shesin shetitjet e tyre neper Perendim apo takimet me politikanet e Perendimit si suksese.
Harrojne keta se Shqiperia nuk eshte me ai vendi i izoluar dhe shqiptaret jane me te njohur ne Perendim se sa politikanet.
Shume shqiptare punojne per institucione te rendesishme te vendeve Perendimore.
Disa shqiptare te lindur e te rritur ne SHBA jane shume te rendesishem se politikanet provinciale shqiptare.
Takimet e politikaneve shqiptare te bere permes shumave te medha te paguara nga lobingjet nuk deshmojne asgje ne realitet.
Nuk jane lobimet apo takimet ne Washington qe mund te rinovojne Opoziten.
Nuk jane takimet ne Washington qe mund te sherojne politikanet shqiptare nga vesi per te blere voten!
Nuk jane takimet ne Washington qe garantojne dekriminalizimin e plote te politikaneve shqiptare.
Nuk ka dekriminalizim pa penalizim. Dikush ne keto vite tranzicioni duhet te kete pasur e duhet te kete pergjegjesi penale.
Nuk jane takimet ne Washington apo ne Bruksel qe zgjidhin marredheniet konfliktuale te politikaneve shqiptare.
BE dhe Washington kane politika te caktuara e kritere te vendosura qe pasqyrojne funksionimin e tyre institucional dhe konceptet qe ata kane per Shtetin e se Drejtes dhe per keto gjera nuk te tolerojne edhe sikur politikanet tane te flinin bashke me Merkel ose edhe me Trump.
Marredheniet tona me BE dhe SHBA jane marredhenie te bazuara mbi kritere dhe kushtet e keto nuk anashkalohen nga lobimet qe politikanet shqiptare i bejne duke perdorur parate e taksapaguesve shqiptare.
Politikanet shqiptare duhet te pranojne konceptin e rinovimit me personalitetin e tyre dhe me sjelljen qe ata kane me institucionet dhe per optikenne tyre te berit politike.

/Alban Daci

“Gjurmë Shqiptare”: Gjenerali me shajak

0

Kush është Elez Isufi, prijësi që përballoi serbët për plot 9 vite? Si u përball me Esad Pashë Toptanin dhe Ahmet Zogun?

Zbritja në Viene dhe vrasja në tradhti.

Gjurmë Shqiptare nga gazetari Marin Mema, një dokumentar për Elez Isufin.

/ Top Channel

Vetëvrasje Bulqize

0
Rreth ores 18:00 te dites se djeshme,nje 70 vjecar i ka dhene fund jetes duke u vetevarur me litar 
ne fshatin Cerenec i Eperm te Bulqizes. 
Burime zyrtare raportuan se ishte djali i viktimes ai qe kishte gjetur trupin e te moshuarit me 
inicialet L.M ne kasollen e bagetive. 
Eksperti mjeko-ligjor gjate keqyrjes se trupit te viktimes nuk ka konstatuar asnje shenje dhune a 
demtim tjeter pervec atyre te shkaktuara nga vetevarja ne litar. 
Kane qene familjaret 70 vjecarit ata qe kane raportuar ngjarjen ne polici. 

Haxhi Vehbi Agolli(Dibra)

0

Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) 1867-1937
(Postohet në 150 vjetorin e lindjes dhe 80 vjetorin e vdekjes)

Më 12 mars 2017 u mbushën 150 vjet nga lindja e atdhetarit dhe Hoxhës të Madh të Dibrës Haxhi Vehbi Agolli (Dibra).Askush nuk u kujtua të thoshte dy fjalë për Haxhi Vehbiun e urtë.Ndoshta e kanë lanë për 24 marsin 2017,që është 80 vjetori e vdekjes së tij. Vehbi Agolli lindi në Dibër të Madhe me 12 mars 1867. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll.Pas kryerjes së studimeve teologjike dhe specializimit në fushën e filozofisë islame, logjikës, shkencave juridike emërohet myfti i Dibrës, detyrë që e ushtroi deri 1912. Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit. Më 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i Dibrës dhe firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën në turqisht “Vehbi Dibra”. Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Pleqësisë si dhe nënkryetar i qeverisë. Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e ngarkon me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqiprisë. Në vitin 1916 ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Lartë të Sheriatit. Më 1923 në Kongresin e Parë Mysliman, u zgjodh kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Haxhi Vehbi Dibra ka shkruar, ka bere studime, ka përkthyer dhe botuar në revistën “Zani i Naltë”, që dilte në Tiranë, prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939. Kultura dhe arsimi në disa fusha i jepnin mundësi Haxhi Vehbiut të vinte në përfundime që janë aktuale dhe në ditët e sotme.Ai thoshte : “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.
Deviza e tij ka qenë postulat për konfeksionet fetare në botën shqiptare : “Kristjan e mysliman jemi vllezër të pandarë”.
Haxhi Vehbi Dibra ndërroi jetë në Tiranë,më 24 mars 1937, në moshën 70 vjeçare.

/Moisi Murra

Elez Isufi

0

Në analet e historisë sonë kombëtare, nga kohërat më të lashta e gjer tek më të rejat, Dibra ka qenë kurdoherë e pranishme dhe ka pasur peshë të rëndësishme, shpesh dhe përcaktuese, në lëvizjet tona kombëtare për liri dhe pavarësi, duke u dhënë këtyre  pasazheve dhe peisazheve pikante ngjyrën e gjakut të kulluar të lirisë. Pozicioni i saj gjeofizik, një  luginë e bukur e pjellore  plot dritë e gjelbërim në rrjedhën e mesme të Drinit të Zi, me ujëra të kulluar e pyje madhështorë, përtej dallgëve të kripura të detit, kënetave dhe moçaleve, të verdha e të mpira, e mbrojtur nga një kurorë malesh të lartë në perendim e në lindje, tërhoqi lakmitë e pushtuesve duke filluar nga falangat e ushtrive romake e gjer te urditë shoviniste sërbe. Prandaj themi me të drejtë se Dibra ka histori. Kjo histori ka brenda saj ngjarje, perpjekje, luftëra,  qëndresë madhore, ka tym të zi e gjak të pastër, besë të rëndë dhe hakmarrje vigane, ka luftëtarë e martirë, dëshmorë e heronj të vërtetë, prijësa të shquar e trima mejdani, ka varre lapidarë dhe këngë frymëzuese…

 

Ngjarjet që ndodhën në gjysmën e dytë të shek XIX dhe fillimin e shek.XX  që shënojnë dhe fundin e sundimit otoman dhe kurorëzohen me shpalljen e Pavarësisë e bëjnë Dibrën  epiqendër të përpjekjeve shqiptare për liri e pavarësi. Mjerë kush s’e njeh dhe s’e do! Le të kujtojmë qëndresën vigane kundër reformave të Tanzimatit, kontributin dibran në Lidhjen e Prizrenit, përpjekjet për gjuhën dhe shkollën shqipe, kryengritjet antiosmane për shpalljen e Pavarësisë, kuvendet, kararet dhe itifaket, besëlidhjet e famshme, prologun e gjithë atyre betejave legjendare, nga dolën heronjtë pishtarë të qëndresës popullore. Kurora e lavdisë dibrane është, padyshim, epopeja e luftrave 9-vjeçare kundër pushtuesve sërbë 1912-1921, përcaktuese në kufinjtë që kemi sot, e dhimbshme gjer në palcë, por madhështore gjer në pavdekësi, të cilën gishta të shkapërderdhur historianësh ose e kanë prekur pak, ose e kanë shkruar keq. Mjerë ata që luajnë me të vërtetën!

 

Sado të keqinerpretohen apo të keqpërdoren, memoria e shëndoshë e kombit kurrë nuk do të fshijë emrat e mëdhenj të patriotëve tanë. Ata janë si lulet që mbijë e lulëzojnë, sa herë fryjnë erëra të ngrohta behari. Të tillë janë Cen Leka e Salë Markja, Sheh Zerqani e Fejzë Bulqiza, Dan Cami e Iljaz Dibra, Selman Alia e Llan Kaloshi, Selim Rusi e Jusuf Bageri, Sefedin Pustina e Ismail Strazimiri, Baftjar Doda e Mustafë Lita, Hoxhë Voka e Hoxhë Muglica, Elez Isufi e Sufë Xhelili e plot të tjerë.

 

Elez Isufi hyri si meteor plot dritë e shkëlqim në orbitën e përpjekjeve shqiptare për liri dhe pavarësi, kur ishte djalë i ri 17 vjeç. Familja e tij kishte pak kohë që ishte vendosur në një mjedis interesant. Një shtëpi e thjeshtë majë një kodre mes gjelbërimit dushkor të Lugjepravës, në të djathtë të Drinit, që shpejt do të kthehej në një copëz parajse me bimë e pemë gjithfarësh dhe me një kullë-fortesë majë kodrës. Djali i ri, i pajisur nga natyra me dhunti të jashtëzakonshme, i rrahur që fëmijë nga erërat e luftës dhe barotit, i pjekur në kuvende burrash, i rritur  dhe i kalitur në mejdane trimërie, nën kujdesin e një nëne malësore të mençur dhe bujare, të ashpër e kryelartë, por dhe të dashur e fisnike, ziente përbrenda si një vullkan që priste për të shpalosur mrekullitë e shpirtit shpërthyes e liridashës, të një mendjeje të ndritur e të një pasioni të fuqishëm, me sy të mprehtë e vëzhgues, me atë gjoks të gjërë e të rëndë si shkëmbi majë një mali, tërë forcë e energji vepruese për të nisur vepra të mëdha. Kështu e gjejnë atë ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit. Vëllai i tij Xhelili, sapo ishte kthyer nga misioni historik në roje të besëlidhjes së madhe të Prizrenit së bashku me Xhafer e Baftjar Dodën, kur vdiq papritur në një moshë të re. Nga kjo kohë Elez Isufi mbajti mbi supe barrën e rëndë të familjes dhe misionin e lavdishëm të mbrojtjes së atdheut, në një nga periudhat më kritike të historisë sonë. Emri i tij shpejt do të bëhej i njohur, por dhe i frikshëm për armiqtë dhe tradhtarët. Ai do të bëhej udhëheqësi më popullor dhe më i besueshëmi, më i thjeshti dhe më i dashuri, prijësi i lavdishëm i vegjëlisë. Ai ishte simboli i besës dhe i bujarisë, i sakrificës dhe i trimërisë, burri i mençur i Dibrës dhe strategu i luftrave popullore, heroi i betejave legjendare, kreshniku i maleve tona dhe  diplomati i pagabueshëm me opinga lëkure e kësulë  të rrafshët dibre që u jepte drejtim kthesave më të vështira historike.

 

Janë mbi 46 vjet të jetës së tij të mbushura me shqetësime të panumërta për mbijetesë kombëtare, vite luftërash e betejash, vite qëndrese, krenarie e lavdie në mbrojtje të trojeve tona, të nderit e të dinjitetit shqiptar. Po të ecësh në gjurmët e këtij gjysëmshekulli të jetës së tij, nuk do të gjejsh asnjë vit të papërgjakur, asnjë muaj pa tym betejash e plagë lufte, asnje ditë të qetë e pa krisma pushke. Të gjitha mbulohen, si për çudi, me një aureolë të ndritshme, me një piskamë tronditëse të thirrjes së fuqishme “ A besë-a- besë, o burra, për hatër të këtij vatani”! Dhe ngriheshin 7 e 70, përmbysej nata dhe vraponin malet, konak e oxhak mblidheshin tek pesë krismat e pushkës habertare. Dhe gjithkush pyet me të drejtë:– Ku e kishte, vallë, gjithë këtë fuqi ky njeri, ky djalë, ky bir, ky burrë? Ai e kishte fjalën fjalë e besën besë. Nga syri i tij plot dritë buronte mirënjohja dhe nderimi për njeriun e mirë, dora e tij e bardhë shtronte bujari dhe nga gishti tregues shpërthente flaka hakmarrëse për armiqtë.

 

Çdo beteje çiftelia i vinte pas. Tregojnë se kanë qenë mbi 20 këngë që trimëria i ka kënduar pushkës dibrane dhe prijësit të saj Elez Isufit. Ne kemi arritur të mbledhim të plota rreth 13 prej tyre, pa llogaritur këngët që i janë kushtuar atij pas vdekjes. Kënga në atë kohë ishte vlerësimi më dinjitoz për dike që e meritonte. Ishte medaljon, urdhër, ishte titull nderi e lavdie, ishte dekoratë, lapidar e monument. Kënga bënte portretin heroit, por edhe te tradhtarit. Ndaj kënga dibrane, si më e fuqishmja në trevat shqiptare, ka bërë vlerësime dinjitoze. Elez Isufin e ka quajtur arushë mali, që s’i tutet as mbretit e as kralit, burrë zotni, që  Petre Kralit i rri karshi, trim me shtatë zemra, shqipja e malit që faron asqerët e kralit, ylli i mejdanit, besa e burrit, salltanet ndër krala, etj. duke i dhënë urimin e zemrës:”Gjeç rahmet, o Elez Aga”! Në dy vargje të një kënge popullore jepet qartë qëndrimi që mban populli ndaj dy figurave:

 

 Ahmet beg, nip i Toptanit, (Është fjala për tradhtarin Esat Toptanin).

                         Elez aga, arusha e malit.

 

Duke ecur gjurmë pas gjurme të jetës së tij e shohim se si rritet dhe madhohet në sytë e popullit personaliteti i udhëheqësit. E nisi rininë e hershme si bari dhish dhe shpejt e shohim të ngrihet si një zë të fuqishëm kryengritës kundër shtypjes e padrejtësive. Vihet në krye të  një çete komitësh si dalëzotës i mallit në fshatrat e Rekës duke vendosur rendin e qetësinë. Gradën si çaush i një poste e shfrytëzoi për të përzënë turqit e Sllovës dhe ky akt do të ishte prologu i gjithë kryengritjeve të mëvonshme antiosmane deri në shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1899 është pjesëmarrës në Kuvendin e Qarnanicës krahas burrave të pjekur për miratimin e vendimeve të Lidhjes së Pejës, për unifikimin e veprimeve luftarake të kërkesave të parashikuara nga besëlidhja e madhe.Turqit e shikojnë si një element shumë të rrezikshëm dhe kërkojnë ta eleminojnë. E arrestojnë dhe e burgosin në Manastir. Në vitin 1902 arratiset nga burgu. Udhëheq një çetë të armatosur, e cila kryen disa aksione të guximshme në Dibër të Poshtme. Në vitin 1908 Elez Isufi me çetën e tij siguron zhvillimet normale të punimeve të Kongresit të Manastirit. Ai tashmë ishte njohur dhe miqësuar me shqiptarët më me peshë të Perandorisë dhe kishte përvetësuar platformën e rilindasve. Në maj 1910 në krye të më se 2000 dibranëve shkon në mbrojtje të Kosovës dhe merr pjesë në luftimet e përgjakshme të Qafë-Prushit. Arrestohet dhe dërgohet në burgun e Manastirit. Më 27 mars 1912 nën kryesinë e tij dhe Selman Alisë shkrepi krisma e parë e çetave kryengritëse dhe formohet Komiteti Nacional i Dibrës. Elez Isufi ishte flamurtari më i flaktë i sulmit të përgjithshëm. Kryeson delegacionin që niset në Prishtinë më 6 gusht dhe takohet në Ferizaj me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Isa Boletinin, të cilët do t’i lidhë, siç dëshmojnë ngjarjet e mëvonshme, miqësia e përjetshme. Caktohet delegat për në Vlorë, por ngjarjet që rrodhën me vërtik, e penguan këtë udhëtim historik. Me Ismail Qemalin ai do të takohej më 14 gusht 1913, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë duke mbyllur kështu njërën prej faqeve të historisë së lavdishme.

 

Lufta me sërbët është padyshim më tragjikja për Dibrën. Elez Isufin e kemi në krye të kësaj epopeje 9-vjeçare. Në nëntor, 20 ditë para shpalljes së Pavarësisë sërbët hyjnë në Lumë, Shkodra rrethohet nga malazestë. Elez Isufi me një pjesë të dibranëve kthen nga rruga për në Shkodër dhe hidhet në betejën e famshme të Kolosnjanit, kundër armikut rezil që tashmë kishte trokitur te porta e nderit. Fitorja e kësaj beteje qe befasuese. Bisha tërbohet dhe më tepër dhe mësyn e pushton Dibrën e Madhe dhe viset gjer në Dri, pikërisht një ditë para se Plaku i Vlorës të ngrejë flamurin e lirisë. Një natë të bekuar ai me shumë zgjuarsi arrin të çajë rrethimin e kullës dhe të shpëtojë 70 anëtarët e familjes dhe vetë arratiset në mal. Sërbët djegin kullën, por flamurtarit të rezistencës i rritet nami fort, sa që fillon ta dëgjojë dhe Evropa e shurdhër. Në shtator fillon kryengritja e madhe dhe brenda një nate korret një fitore tjetër historike. Në tetor fillon ofensiva sërbe me terror të padëgjuar në masën e popullsisë. Digjen e shkretohen tërë viset shqiptare në dy anët e Drinit të Zi. Shpërngulën mbi 20.000 dibranë. Elez Isufi shkon pak kohë të luftojë në Shkodër kundër malazezve. Në vitin 1914 qeveria e Durrësit  e ngarkon të ruajë rendin e qetësinë nga provokacionet sërbe. Në mars 1915 mblidhet një kuvend i madh në Sohodoll dhe vendoset për të luftuar lëvizjen esadiste. Në dhjetor të atij viti ndizet Lufta e Kaushit, një ndër kulmet e fitoreve, ku futet në darën e hakmarrjes popullore një divizion sërb që priste të kalonte në Durrës. Në tetor 1918 Dibra bije sërish nën kthetrat sërbe, tashmë krejt e lodhur dhe e përgjakur.

 

Në gusht 1920 formohet ajo që njihet si qeveria e Arrasit. Mblidhet kuvendi i madh dhe zgjidhet një komitet lufte me komandant të forcave kryengritëse Elez Isufin. Shpërtheu kryengritja që ndezi mbarë Dibrës flakën e fitores. Në Lanë-Lurë, në një ditë breshëri dhe shiu, ndizet beteja e përgjakshme e vendimtare për fitore. Elez Isufi qe kundër synimeve diktatoriale dhe mbështeti gjithmonë krahun e demokratëve përparimtarë si Hasan Prishtina, Ramiz Daci, Ramiz Dibra,etj. Në dhjetor 1921 i tërheq vemendjen parlamentit për të thirrë Asamblenë Kushtetuese. Në prill 1922 gjykata ushtarake e dënon me vdekje. Udhëheq Lëvizjen e Marsit dhe falanga e tij me malësorë, e kalitur në qindra beteja, pas luftimeve të ashpra, hyn triumfalisht në Tiranë:

 

Meleq Frashni, mor budallë,

Mos u dil para Reç-e-Dardhë!

Reç-e-Dardhë mos u dil para,

Çe nand vjet luftojnë me krala!

 

Ahmet Zogu fillon spastrimet me vrasjen e kundërsharëve. Me Plakun e Sllovës fillimisht nuk pati sukses, se ai e mbante pushkën për syri ngulur te kulla e Ndreut, e cila në preludin e Revolucionit të Qershorit mblodhi në gjirin e saj qindra patriotë e malësorë duke u kthyer në qendër organizative për tërë Dibrën. Demokratët e vërtetë e mbështetën këtë revolucion, sepse e shikonin  si një mundësi për realizimin e aspiratave të tyre, megjithatë ishin të detyruar ta mbanin syrin dhe veshin  zgjuar, sepse diçka e zezë po lëvizte matanë dhe përbindshi i kahershëm sërb duke derdhur arin si ujë në xhepat e lakmitarëve tradhtarë, rigjallëroi shëmtyrat e kombit dhe vuri në lëvizje kthetrat e gjakosura të hasmit të vjetër. Kështu zbritën nga Skërteci në mesin e dhjetorit hordhitë mercenare e tradhtare, rusë të bardhë e sërbë të zinj të Pashiqit, drejt Peshkopisë, ku ishin forcat vullnetare me në krye Elez Isufin. Disa nga paria dibrane, e  zverdhur e xheloze, dinake dhe tinzare, e shitur për pesë pare, duke shkelur mbi gjakun e kulluar të lirisë, shtriu dorën e zezë të tradhtisë dhe vrau në pabesi shqiponjën e betejave liridashëse, Sufë Xhelilin dhe kreshnikun e maleve Elez Isufin, ata që kënga do t’u vinte pas vit pas viti e brez pas brezi:

 

Çou, Elez, thërrasin malet

Besë-a-besë përmbi urdi,

Herë me mbret e herë me kralët

Për vatan e për liri!

 

Kam shpresë se historia do të trokasë shpejt në mendjet e turbulluara, do të zhvishet nga gjethet e thara dhe do të zbulojë fytyrën e bukur të së vërtetës e do t’iu thotë me zë të qartë: – Ja ku jam e kush jam!

Janë disa burra të cilët nuk e kanë ndjekur lavdinë, por ajo u ka shkuar pas. Dhe nuk kanë nevojë fare as për grada, as për lavdi e as për monumente. Elez Isufi dekorohet nga perandori i Austro-Hungarisë me urdhërin “Franc Jozef Orden” për luftë kundër sërbëve. Për meritat e tij si udhëheqës gradat më të larta ia vuri në gjoks populli i tij: Komandant, gjeneral, burrë burrash, shqipe mali, i pari i të parëve, kreshniku i Dibrës, bajraku i mejdanit, diplomat, Plaku i urtë i Sllovës, njeriu që i ka fry hizri në gojë, etj.

 

Për Elez Isufin u shkrua shumë në shtypin e kohës duke i veshur cilësitë më të larta. Janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen biografi, monografi, vepra letrare, këngë, poezi, drama, romane, kujtime, etj. Ai është përfshirë gati në të gjitha botimet historike të peridhës që jetoi, diku më pak e diku më shumë, sepse dhe më të padëshiruarit i ngecet penda para veprës së tij dhe s’mund të bëjë kapërcime revansh. Shumë historianë e kanë quajtur strateg luftërash, kryetrim, Roja e Kufirit Shqiptar. Të huaj e vendas janë ndalur shpesh te figura e Elez Isufit. Roze Lang, shkrimtare amerikane e quan Trim i Dibrës dhe britaniku Barnes patriot të madh. Vrasja e albanalogut kroat Milan Shuflaj që u thirr urgjentisht nga sërbët pas vizitës në shtëpinë e Elez Isufit ishte  e sajuar nga ana e tyre për të eleminuar një personalitet me rëndësi që do të shkruante të vërtetën për trimin e Dibrës. Nermin Vlora i quan Elez Isufin dhe Isuf Xhelilin trima madhështorë që u vlon ndër deje gjak shqiptar. Filozofi Isuf Luzaj e quan njeri të hekurt që i tansformonte njerëzit e thjeshtë në heronj. Fan Noli flet me simpati për gegën e mençur, trim e të pashoq. Skëndër Luarasi në librin që i kushtohet Isa Boletinit tregon për dy netët e këndshme që kaloi në kullën e Plakut të Sllovës, kur po udhëtonte drejt Vlorës. Por shkrimet më të mira që e ngrejnë lart figurën e tij si patriot, -thotë në kujtimet e tij Ismail Strazimiri, – janë burimet e shumta arkivore sërbe që flasin me mllef të pashoq për heroin tonë.

 

Një monografi dinjitoze për gjeneralin me shajak ka shkruar Xhafer Martini. Haki Sharofi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e tij me vlerë. Haki Stërmilli e ka personazh kryesor në dramat e tij historike, Rexhep Krasniqi e quan shtyllë të sigurtë të vijës kufitare verilindore, Ibrahim Farka i thotë trim legjendar, Abdulla Çanga kujdestar plot pasion për shkollën dhe arsimin shqip, që bën epokë dhe sjell pavekësinë shprehet për të historian Gafurr Zoto, ndërsa një ndër personalitetet më premtuese e më të talentuara, prifti shkodran Dom Lazër Shantoja, i pushkatuar më 1946 nga diktatura, e ka personazhin kryesor të dramës së tij historike “Kuvendi i dëshmorëve”. Ai e vizitoi në Sllovë dhe shkruan me shumë simpati për personin që çdo send tjetër para tij humb interesin. Në këto 5 rrokje secili shqiptar shef njeriun me famë legjendare, që ari i sërbisë nuk mundi me e thye kurrë. Elez Isufi! Fuqi, shpresë, kërcënim!- shkruan ai, i cili, siç thotë Irfan Tërshana, u thirr nga Perandori si njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, të përkthente fjalët e malësorit të Dibrës, që e kishte ofruar për dekorim.

 

***

I solla këto jo se ata janë pak të njohura, por më shumë si një kujtesë historike në këtë 100-vjetor të krenarisë kombëtare, ku secila figurë duhet të  gjejë vendin e vet. Trimi, ku ka vënë këmbën, ka ngritur dhe muranën. Është një vend këtu në Tiranë që quhet “Qoshja e Elezit”. A thua nuk e meriton një përmendore? Fatmirësisht pasardhësit e kësaj dere të ndritur nuk e kanë humbur shkëlqimin. Unë u ndala te lufta e Dibrës dhe posaçërisht tek njera prej figurave të saj, për të cilin, fatkeqësisht, historia e ka mbyllur njerin sy. Por, nga kjo dritare shfaqen e gëlojnë qindra e qindra ngjarje dhe figura të ndritura të Dibrës, që, padyshim, duhen vënë sipas meritës në pjedestalin e lavdisë kombëtare dhe kurrë sipas shijeve dhe interesave personale.

 

 

/Naim Plaku, Tiranë, Nëntor 2012

Italia mposht Shqipërinë 2-0, zbehet shpresat e kuqezinjëve.

0
UNSPECIFIED - MARCH 24: Lorenzo Insigne (R) of Italy competes with Elseid Hysaj of Albania during the FIFA 2018 World Cup Qualifier between Italy and Albania at Stadio Renzo Barbera on March 24, 2017 in Palermo, Italy. (Photo by Valerio Pennicino/Getty Images)

Shqipëria u dorëzua në sfidën përballë Italisë e zhvilluar në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos. Kuqezinjtë nuk arritën të përballonin kombëtaren e kaltër duke u mposhtur me rezultatin 2-0.

Pas një fillimi të mirë të ekipit shqiptar dhe një rasti të pastër të Cikalleshit, Italia u zgjua dhe kaloi në avantazh në momentin kur gjyqtari akordoi një 11 metersh si pasojë e një tërheqjeje të Bashës ndaj Belottit. De Rossi nga pika e bardhë u tregua i saktë duke i dhuruar epërsinë ekipit vëndas.

Në pjesën e dytë loja u ndërpre për rreth 10 minuta pasi grupimi i tifozerisë shqiptare “Plisat” ndezi tymuese në stadium duke vështirësuar pamjen në impiantin e qytetit të Palermos.

Takimi rifilloi dhe Italia dyfishoi me autor Ciro Immobilen që shënoi me kokë i asistuar nga Zapakosta. Gjithcka u mbyll me rezultatin 2-0 për kombëtaren italiane, me këtë disfatë zvaniten shpresat e kuqezinjve për tu kualifikuar në Botërorin e Rusise.

ME BUKURINË E SË PANJOHURËS, Në majëmalin e Korabit

0

Janë orët e para të një dite që zgjohet në prehër të malit, mes një kontrasti drite dhe mugëtire të errësuar nga retë, të cilat sikur e kanë banesën e tyre këtë mëngjes. Por diku më tutje ca ndriçime skajore të tretura larg në maja të larta tregonin se dielli ndërmjet të çarave të reve lëshonte rrezet e tij. Nisemi të përshëndetur nga era e ftohtë, që të fishkullon fytyrën.
Në hapësirën kohore, të hapave të para, ndoqëm një rrugëkalim gjarpërues, që ngjitej lartësive të malit dhe këtë e tregonte një tabelë orientuese e më tej në ecje gurët e shënjuar kilometrik para disa vitesh nga alpinistët polakë e që eleminonin vështirësitë nga mosnjohja e terrenit. Shtrati i një përroi që zhurmonte e shkumbëzonte me rrapëllimë nëpër gurë e guralecë të murrëm, të cilët e bënin më epike pamjen e tyre, të ushtonte në vesh për një kohë të gjatë si një simfoni. Ecim pranë copëzave të arave të shkarravitur nga gurët, staneve e lëndinave të Radomirës dhe përmes një pylli të harlisur pishash arrnoj, siç i thonë vendasit, ku era që frynte me ngulëm e përzier me kundërmimin e aromës së tyre, i lëkunde dhe shkunde borën nga degët. Ato me gjelbërimin e thellë, kombinuar me bardhësinë e borës, krijonin një tablo mahnitëse dhe i bënin karshillëk në çdo çast shpateve shkëmbore të thikta e të grinjta të Kapistogjit dhe Luftanjit me forma të çuditshme, të krijuara nga përmbytjet tektonike të Lashta.
Përfitojmë nga një ndalesë e shkutër për t’u çlodhur paksa e për të vështruar më shumë natyrën dhe shpatet veshur me bardhësi, por thuajse të zhveshura nga bimësia, që zgjateshin në drejtim të majës së malit. Shushurima e ujrave që rrjedhin nga burime e rrëkeza, të cilat furnizojnë me ujë qytetin e Peshkopisë, duket se i japin një frymarrje dobiprurëse malit dhe na shoqërojnë një copë udhë bukurive të përjetshme të natyrës së Korabit. Deri larg një varg majash të pjerrëta, që janë aq të njohura për alpinistët dhe që ngrihen të larta me shpalosjen e tyre të mrekullueshme, të pushtojnë aty për aty shpirtin për të frymëzuar deri në thellësi të tij, që është e pamundur ta përshkuash me fjalë. Pylli me pisha ia le vendin një pllaje të zhveshur aty- këtu me gurë, ku ca gjurmë kafshësh të egra tregonin se kishin kaluar ndoshta pak para nesh, ashtu si fluturimi i beftë i ndonjë zogu mbi kokat tona. Nga qielli fjolla të pakta dëbore si flutura e miellizonin natyrën përreth dhe hapat krijonin një zhurëm kërciste. Pa ia ndarë sytë rënies së flokëve të dëborës, nën re të murrme, si një hartë, që kacafyteshin qiellit, ne vazhdojmë të ecim nëpër një terren të shkatërruar nga gërryerjet dhe nëpër disa qafa të vogla, tashmë të borëzuara. Edhe pse alpinistët ndjejnë lodhje, të cilën e shton më shumë era , që t’i rrëmbente fjalët, provojmë edhe ndjesinë drithëruese të ftohtit. Bukuria e kristaltë e dëborës së ngrirë, që reshti së rëni vetvetiu të emocionon dhe në shpirt të vijnë shumë ndjesi se dimri nuk jep shpirt aq lehtë me të ftohtin e tij, pavarësisht se është mars e ditët po bëhen më të ngrohta.
Me vështrimin e syve zhbirues shquanim në largësi konture të mjegullta të majave të tjera, por qëllimi i vetëm i alpinistëve është ngjitja në majën më të lartë të malit Korab, si lajmotivi i ardhjes këtu, ku ndodhet edhe kufiri me Maqedoninë. Ndaj nuk e kishin idenë se ku ndodheshim dhe sa kohë kishim ecur pa pushim, por mjegulla që ishte bërë një perde qumështore e po mbulonte malin e sertë i detyroi të pushojmë. Në këndvështrimin e përgjithshëm, ngjitja prej 5 orësh duket se të mpin e të lodh, por në të vërtetë alpinistët edhe një çast pushimi, që janë një nga ato ndijimet e ëmbëla të çlodhjes, bëhen soditës të kësaj natyre të egërsuar.
Lartësitë, që tanimë i kishim lënë prapa, të mundimshme edhe prej kapriços së motit si një paralele zymtësie, do i kujtojmë në dridhje rrëqethëse që përshkojnë trupin.
Përpara se të largohemi nga kjo panoramë e papërsëritshme, sa të detyron të rikthehesh sërish, përshëndetemi nga mikpritësi ynë, Haxhiu. E kthejmë kokën edhe njëherë prapa për të vështruar pamjen e bukur të malit më shtatlartë në Shqipëri, të mbuluar me borë.

/Pëllumb Gorica

Hurmat dhe vlerat ushqyese te saj

0

Hurmat konsumohen në pjesë të ndryshme të botës, ndërsa në vendet arabe janë një pjesë e rëndësishme e dietës.
Më së shpeshti hahen të thata, por kjo nuk do të thotë ndonjë ndryshim – efektet e saj të dobishme për shëndetin mbeten të njëjta.
Veçanërisht janë të rëndësishme për vegjetarianët sepse ato përmbajnë substanca të caktuara që janë të vështira për t’u gjetur në ushqime me origjinë bimore, të tilla si vitamina B6, seleni, fibrat, magnezi, bakri, kaliumi dhe mangani.
Besohet se kontribuojnë në trajtimin e kancerit, sepse ato përmbajnë selen. Ky antioksidant i fuqishëm parandalon formimin e kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, forcon sistemin imunitar dhe mbron trupin nga infeksionet. Seleni gjithashtu stimulon gjëndrën tiroide, ndërsa mungesa e tij çon në ndryshime serioze hormonale.
Luteini dhe zeaksantini i përkasin grupit të karotenoideve, ndërsa tek njerëzit këto dy substanca filtrojnë gjatesinë valore të dritës së dukshme me energji lartë duke vepruar si antioksidantë, dhe kështu mbrojnë retinën e syrit nga dëmet e shkaktuara nga drita e fortë. Një studim i kryer në vitin 2007 tregon se ka më pak gjasa që të shtrembërohet makula e syrit me kalimin e kohës në njerëz, nëse ushqehen me ushqim të pasur me këto substanca.
Hurmat përmbajnë fosfor, ndërsa ai luan një rol të rëndësishëm të “ushqimit të trurit.” Për këtë arsye rekomandohen në dietën e njerëzve të cilët janë të angazhuar në punë intelektuale. Trurit dhe muskujve u japin shpejtë energjinë e nevojshme, për shkak se ato përmbajnë sheqerna natyrore të tilla si glukoza, saharoza dhe fruktoza. Ato përmbajnë klor elementar i cili përdoret për të mbrojtur dhëmbët nga prishja. Hurma e pjekur përmbanë vitamina A, C, B1, B2 dhe niacin. Ato janë gjithashtu një burim i mirë i natriumit, magnezit, kalciumit dhe hekurit.
Janë të pasura me hekur, dhe konsumi i tyre i rregullt është parandalim i shkëlqyer i anemisë (dhe trajtimit për ata që vuajnë nga mungesa e këtij elementi) – 100 gram me hurma përmbanë rreth 10 për qind të vlerës së rekomanduar ditore të hekurit.
Konsumi i rregullt të këtij fruti ndihmon tek kapsllëku, për shkak të nivelit të lartë të fibrave të cilat kontribuojnë për tretje më të mirë të ushqimit. Ajo gjithashtu ka efekt anti-inflamator, ndihmon në kushte të tilla si artriti, sëmundjet kardiovaskulare, parandalimin e goditjeve në tru, prandaj konsumimi i tyre rekomandohet edhe tek njerëzit që vuajnë nga sëmundja Alzheimer.
Për gratë shtatzëna është ushqim i shkëlqyer, i cili ndihmon në përgatitje për lindjen e fëmijës sepse i siguron trupit të gjithë ushqyesit e nevojshëm. Janë të shkëlqyeshme për humbje peshe, problemet me impotencë dhe anemi.
Sheqeri natyral që gjendet në hurme është alternativë e përkryer e sheqerit të rregullt. Është e lehtë në tretje dhe zvogëlon urinë. Mjafton të hahen 2 ose 3 hurme, dhe nuk do të keni dëshirë për çokollatë apo ndonjë ëmbëlsirë tjetër.
Dr. Melina Jampolis zbuloi se hurmat ndihmojnë në humbje të peshës, dhe mjafton që të hani tri copa në ditë, sepse në këtë mënyrë do të merrni energji pa ngarkim me ushqim të pashëndetshëm,

Plepi, kungulli dhe Hafiz Pijaziti

0

Hafiz Pijaziti, të gjithë e njihnim me këtë emër, ishte një burrë i mençur, kishte memorizuar të gjithë Kuranin përmendësh që në vegjëli, edhe pse shikimin e kishte humbur gjatë dy viteve të para të jetës, për shkak të një sëmundje. Hafiz Pijaziti ishte simbol i urtësisë fetare, por edhe asaj dibrane. Ai i kishte shëtitur odat e konaqet e Dibrës dhe e dinte ku rrihte muhabeti, ishte mjeshtër i alegorisë dibrane. Ai të dëgjonte me vëmendje, pastaj jepte përgjigjen ose bënte komentin e tij duke i vënë muhabetit kapak.
Si çdo hoxhë tjetër, edhe ai ishte privuar nga gjëja më e çmuar gjatë sistemit komunist, fjala e Zotit. Megjithatë, hafizi e përcillte mesazhin e vet, falë alegorisë dibrane.
Një herë, gjatë diktaturës, ai ishte ftuar në një konak. Një komunist nga Dibra, duke dashur ta vërë në siklet hafiz Pijazitin, i qe drejtuar me këto fjalë në atë dhomë plot me burra:
“O Pijazit! Sa vite ka që ka dalë feja jalla?”
Hafizi i urtë u mendua pak – siç e kishte zakon – pastaj iu përgjigj:”Nja 14 shekuj o filan.”
Komunisti:”Po mire bre, po si është e mundur që ne për 20-30 vite të ndërtojmë vepra madhështore, uzina e fabrika, rrugë e kryevepra të tjera, që ju si keni ndërtuar për shekuj?” gjë të cilën e shoqëroi me një buzëqeshje ironike, pasi besoi se do ia mbyllë gojën hafizit.
Hafizi i urtë, edhe pse ishte akoma diktatura në këmbë dhe për përgjigje të tilla të bënin gropën, pas një heshtjeje në të cilën ai bluante si pyetjen dhe përgjigjen, iu përgjigj me maturi:”Po o filan, e vërtetë ajo që thua, por më dëgjo me vëmendje! Dikur herët, thuhet se ka qenë një plep i madh njëqind vjeçar, njëqind metra i gjatë, me trung që nuk e mbërthenin dot dy burra. Një ditë të ngrohtë pranvere, pranë plepit mbin një fare kungulli e cila çdo dite rritej nga pak, duke lëshuar dhe lastarët e parë. Duke mos pasur ku të kacavirrej, kungulli i tha plepit:”O plep! A më lejon të kacavirrem për trungut tënd?”
Plepi i tha:”Sigurisht që po, jemi fqinjë dhe kemi detyrime ndaj njëri-tjetrit. Ngjitu dhe kacavirru si të duash!”
Shumë shpejt, kungulli u zhvillua aq shume saqë e pa veten në majë të plepit. I mrekulluar me arritjen e vet, iu drejtua mikut të tij të vjetër:”Për sa vite e ke arrit këtë gjatësi or plep?”
“Për njëqind vite e kusur o kungull!” iu përgjigj plepi.
Kungulli:”Për njëqind vite?! Po çfarë ke bërë o i uruar?! Unë për disa muaj e arrita gjatësinë tende!”
Plepi iu përgjigj:”Po o kungull, por le të presim brymën e parë për të kuptuar sa i fortë je.”
Heshtja pllakosi në të gjithë konakun, askush nuk bëzante, e bashke me ta dhe komunisti ynë. Përgjigja e hafizit u mbylli gojën të gjithëve. Me këtë përgjigje, hafizi i thoshte që për ta vërtetuar sa i fortë është komunizmi, duhet të presim stuhinë e parë, pasi feja kishte kaluar stuhi dhe rrebeshë të njëpasnjëshëm dhe nuk ishte gjunjëzuar.
Disa ditë me vonë, hafiz Pijazitit i dërgojnë një oficer të sigurimit, duke e paralajmëruar se po foli herë tjetër ashtu, e pret burgu.
Ne fakt, hafizi pati te drejte, bryma e pare qe i rra kungullit komunist, e thau me gjethe e me rrënjë.

/Elmaz Fida

Loading...