Home Opinion Legjenda e Rrugës së Arbrit

Legjenda e Rrugës së Arbrit

967
0
SHARE

Kur po nisja të shkruaja këto rradhë, titulli i parë që më erdhi ndër mend ishte po ky që edhe vendosa ti vë shkrimit tim, Legjenda e rrugës së Arbrit. Arsyeja ishte mjaft e thjeshtë, në Dibër, kur ishim fëmijë dhe dicka përsëritej e premtohej pafund por nuk realizohej, përdornim shprehjen “U bë legjendë kjo punë mo”. Njëjtë është bërë edhe premtimi i kahershëm për t’ju dhënë dibranve atë që ata e meritojnë, një rrugë dinjitoze që të lëvizin ashtu si cdo krahinë tjetër e Shqipërië.

Gjatë kohës së studimeve që po kryeja në Bruksel, u riktheva në Shqipëri dhe takova ish-kryeministrin Aleksandër Meksi. Arsyeja ishte një intervistë që duhej të përgatisja me të në lidhje me temën time të diplomës. Pasi mbaruam intervistën dhe po shijonim një kafe, ai filloi të më tregonte edhe për historinë e kësaj rruge. Ai më tregoi se në fakt kjo rrugë ishte pagëzuar pikërisht nga ai gjatë gjurmimit të rrugës së vjetër nga vinin tregtarët dibranë për në Tiranë. Pyetjes sime se cfarë mendon se do të bëhet me këtë rrugë, ai iu përgjigj që ështe vërtet për të ardhur keq që një krahinë që i ka dhënë kaq shumë gjithë historisë së kombit shqiptar është aneksuar dhe izoluar totalisht nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Pavarësisht se nuk u shpreh në mënyrë eksplicite, arrita të kuptoj se sipas tij, një pjesë të mirë të fajit për vendin ku gjendet Dibra sot, e kemi ne dibranët.

Dhe në fakt sot kur e mendoj ai kishte plotësisht të drejtë. Faji nuk është as i majtë e as i djathtë, as blu e as mavi. Faji është i popullit dibran dhe sidomos i asaj pjese përfaqësuese që kurrë nuk u ngritën ne lartësinë e detyrës dhe të përfaqësojnë sic duhet një trevë që është mbajtur si universiteti i Shqipërisë. Po mbase pikërisht për këtë arsye ata nuk na përfaqësojnë dot denjësisht. Nuk i kanë shpatullat aq të forta sa të mund të mbajnë një histori të lavdishme si ajo e Dibrës. Është fakt i njohur në cdo fushë që është më e vështire të mbash një pozicion të caktuar sesa ta arrish atë.

Por, pikërisht për këtë arsye, duke ditur vendin nga vijnë dhe cfarë tentojnë të përfaqësojne, mbase duhet të dorëhiqen. Nëse historia e kësaj treve është shumë e madhe për shpatullat  e tyre, origjina dibrane duhet tju japë burrërine të pranojnë të heqin dorë nga dicka që nuk e arrijnë dot. Kjo do tregonte më shumë burrëri se cdo gjoja përpjekje që ata po bëjnë për të na përfaqësuar.

Përvec përfaqësimit politik, mendoj se një rol thelbësor kanë edhe intelektualët e cdo lloji të cilët Dibra ka nxjerrë. Ata duhet ta ngrenë zërin në cdo nivel. Duhet të krijohet një lobim i fortë jopolitik i cili duhet të kërkojë llogari pushtetit pavarësisht partisë që e drejton. Kjo është jetike pasi është për të ardhur keq kur shikon se si politika ka arritur objektivat e veta duke përcarë popullin. Kjo përcarje bën që njerëzit të vlerësojnë punën e qeverisë ne bazë të partisë që drejton dhe jo në bazë të punës reale të qeverisë në zonën e tyre. Për ta bërë më të qartë, është shumë e lehtë për këdo që të futet në forume të ndryshme në internet dhe të shohë në kohën kur kanë qeverisur dy krahët e ndryshëm politik. Do vërejë që persona të njëjtë që dje shanin punën e qeverisë që po ecën shumë ngadalë për rrugën e Arbrit, sot gjejnë arsye nga më absurdet për të justifikuar ndalimin total të punimeve për këtë rruge, dhe anasjelltas. Është pikërisht kjo ajo cka kërkon klasa politike, një popull i përcarë që ngrihet vetëm për interesa partiake në protestë. Një popull të tillë është shumë e lehtë ta mposhtësh. Ndërsa nje popull që del dhe kërkon të drejtat e veta legjitime dhe është i vendosur në këtë gjë, nuk mund ta mposhtë asgjë. Shembullin më të freskët e keni me banorët e Zharrëzës që edhe pse i censuruan në të gjitha mediat gjatë gjithë protestës së tyre, në fund qeveria u dorëzua dhe ju dha atë që mëritonin. Po të njëjtën analogji mund të bëjmë edhe me protestën kundër armëve kimike.

Në mbyllje, dua ta bëj edhe një herë në formë kërkese atë që jam munduar të shpjegoj në këto pak rradhë. Të bashkohemi për të mbrojtur të ardhmen tonë. Të kërkojmë atë që na takon pa dallim se kush është në pushtet dhe pa marrë parasysh bindjet politike të gjithsecilit. Të fillojmë ngadalë të marrim në dorë fatin tonë. Gjithkush mund të bëjë dicka, kush me lobim aty ku ndodhet, dikush tjeter me shkrime, me protesta dhe me cdo mënyrë tjetër të ligjshme. Nëse ne nuk kemi njerëz të denjë që të na përfaqësojmë, atëherë duhet të tregojmë qe dimë ti dalim zot vetes tonë. Vetëm në këtë mënyrë Legjenda e Rrugës së Arbrit do këtë një fund të lumtur.

SHARE
Next articleLsdm nese arrin te formoje qeveri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here