Home Histori Identiteti tradicional e historik i Dibrës mes Romës dhe Bizantit

Identiteti tradicional e historik i Dibrës mes Romës dhe Bizantit

2588
0
SHARE

Në aspektin tradicional Dibra është shumë e larmishme, e pasur, e pazbuluar dhe eksploruar ende. Në histori, Dibra përfaqësonte një krahinë të madhe, që shtrihej nga “Gur e më zhur”, nga Lura dhe Kalaja e Dodës, vazhdonte në Mavrovë me krahinën e Rekës, në  qytetin e Dibrës së Madhe, në Bulqizë, në krahinën e Gollobordës dhe deri në rrethinat e Ohrit dhe Strugës.

Historia e Dibrës është monumentale, me ngjarje, vepra, dhe figura historike. Simboli më i lartë historik i Dibrës lidhet me vendlindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot-Dibrani,  ose “Skënderbeu”. Bëhet fjalë për fshatin Sinë në Cidhën, ku 300 kalorësit dibranë e shoqëruan Skënderbeun në luftrat e tij me turqit. Njëzetë e katër (24) betejat e tij u zhvilluan në territorin e Dibrës. Toponimet, gojëdhënat dhe ngjarjet lidhen me “Kastriotët” dhe Skënderbeun në çdo cep të Dibrës.

Emri i Dibrës mendohet se vjen nga fisi ilir i Deborëve, i cili jetonte në këtë territor. Me evoluimin e tij deri në ditët e sotme ky emër ka ndryshuar nga “Deborë” në “Dibër”, varianti shkencor. Ekziston edhe një version tjetër më folklorik, që lidhet me ndarjen gjeografike të territorit nga lumi Drin në dy brigjet e tij, që në dialekt dibran është Di(y)-Bri. Ky dualizëm është shumë i përdorur në toponominë dibrane si për shembull: Dibra e Epërme dhe e Poshtme, Sina e Epërme dhe e Poshtme, Bresti i Epërm dhe i Poshtëm, Lishani i Epërm dhe i Poshtëm. Gjithashtu kjo ide lidhet dhe me simbolin e Kastriotëve (përkrenarja me dy brirë), që ishin zotëruesit e krahinës së Dibrës.

Lumi Drin i Zi ka qenë kufiri gjeografik i ndarjes së Perandorisë së Romës me Bizantin. Edhe në ditët e sotme lumi Drin është kufiri gjeografik i ndarjes së Dibrës në pjesën e Malësisë (që përfaqësohet nga nëntë malet) dhe Top-Alltia. Ky lumë përkon edhe me kufirin ndarës të katolicizmit, ose “Latinët”, që në gjuhën dialektore dibrane njihen “llatink”. Siç vërehet, ky emër përkon me territorin e malësisë dhe ortodoksisë në pjesën e Top-Alltisë. Në historitë e Skënderbeut thuhet: “Luftëtarët ishin dibranë latinë dhe administrimi bëhej nga dibranët ortodoksë, prandaj Ai ishte i pamposhtur”.

Në territorin e Dibrës gjenden shumë rrënoja arkeologjike, shumë pak prej të cilave janë të zbuluara dhe të eksploruara. Këto rrënoja lidhen me qytetërimin ilir, bizantin, kristian dhe mesjetar. Më të famshmet ndër to janë: Kalaja e Grezhdanit, Kalaja e Skënderbeut, Kalaja e Çetushit, kishat e Peshkopisë në Kodër-Shtjefën, qyteza e Bellovës, Shtëpia e Selman Agollit në Dohoshisht, Kulla e Zunës në Sohodoll, etj.

Feja ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Dibrës, ku kleri dhe shërbyesit e feve katolike, ortodokse dhe myslimane (që përbën 97%  të popullsisë) kanë luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin, kulturën dhe mbajtjen gjallë të patriotizmi. Përmendim shtatë teqet e Dibrës dhe më të famshmen, teqenë e “Bilbilit” në Vleshë.  Klerikët e nderuar, përveç misionit fetar kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe në ngjarjet dhe veprimtaritë politiko-shoqërore. Emra të shquar janë Dom Nikollë Kaçorri (nënkryetar i qeverisë së Ismail Qemalit), Haxhi Vebi Dibra (kryetar i kuvendit të parë të Qeverisë 1912), Sheh Shezemani i Vleshës (pjesëtar i Lidhjes së Prizrenit dhe Kongresit të Lushnjës), si dhe rilindasit Josif Bageri, Seit Najdeni dhe Hoxhë Voka, vendimtar në përhapjen e arsimit.

Dibra trashëgon një kulturë dhe traditë të pasur, që nga koha e paganëve e deri në ditët tona. Festat, doket dhe zakonet janë ruajtur dhe pasuruar brez pas brezi. Nuk janë cënuar karakteristikat dhe vlerat autentike, si: festat, ritet, kostumet, vallet, këngët, arkitektura, etj. Kështu, akoma ruhen dhe vazhdojnë të festohen: dita e Verës, dita e Shën Gjergjit, dita e Shën Nikollit, ritet e dasmës, me vallet e grave dhe burrave, kostumet popullore, lojrat popullore, ku më e spikatura është kalaja dibrançe.

Mençuria, mikpritja, mjeshtria, këto vlera të dibranëve përbëjnë një art më vete. Oda e Dibrës, me oxhakun me gurë të gdhendur nga mjeshtrat dibranë, me “kryet e vendit”, që simbolizon kuvendin dhe ku spikat mençuria, dija, rregulli protokollar dhe alegoria, ku çdo gjë është e rregulluar sipas kanunit të Dibrës, i bazuar në kanunin e Skënderbeut, është një thesar i pasurisë dibrane dhe asaj kombëtare.

Bazat e legjislacionit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore janë: Ligj nr. 9048 për Trashëgiminë Kulturore dhe Ligji nr. 9386 për Muzetë, si dhe institucionet përkatëse, Qendra e Kulturës, “Haki Stërmilli”, Instituti i Monumenteve, Muzeu, etj. Duhet përmendur se, megjithëse ekziston ky kuadër ligjor dhe institucional, Dibra ka ende shumë probleme në mirëmbajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore, për shkak të financimeve të kufizuara si dhe ndërgjegjësimit, ende të ulët, të vetë banorëve.

Marrë nga Strategjia e zhvillimit të territorit të Dibrës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here